VULLNETI

Njohuri elementare mbi veprimin e vullnetshëm

Njeriu dallohet nga krijesat e tjera të gjalla pasi ai është një qënie aktive shoqërore..Ai nuk përshtatet me kushtet e ambjentit në mënyrë pasive, por lufton për ta ndryshuar atë dhe për të krijuar një ambjent të ri sipas kërkesave dhe nevojave të tij. Nga pikëpamja psikologjike, këtë ai e realizon me anë të vullnetit.
Veprimtarinë e tij njeriu e kryen në bazë të lëvizjeve të ndryshme, të cilat i ndajmë në dy lloje:
1) Në lëvizje të pavullnetshme, të cilat janë të lindura bashkë me njeriun dhe që kryhen në mënyrë të pavetëdijshme. Si bazë e këtyre lëvizjeve janë reflekset e pakushtëzuara, si të kolliturit, mbyllja e qepallave të syve, mbyllja e syve nga një dritë e fortë, të hequrit e dorës nga një objekt i nxehtë etj. Në këto veprime nuk parashikohet qëllimi i veprimit. Ato shfaqen në mënyrë impulsive dhe automatike.
2) Në lëvizje të vullnetshme, që karakterizohen nga këto cilësi: së pari ato janë gjithnjë të vetëdijshme dhe drejtohen në një qëllim të caktuar; së dyti ato janë aftësi që njeriu i fiton në procesin e të mësuarit dhe të ushtruarit.
Veprimet e vullnetshme nuk janë vetëm ato që shprehen me lëvizje të dukshme. Këto mund të jenë edhe veprime mendore si, p.sh. të vëzhguarit e një fenomeni, të lexuarit, përllogaritja e një sipërfaqeje, zgjidhja e ndonjë problemi etj.
Disa veprime të vullnetshme janë të thjeshta ndërsa disa të tjera të ndërlikuara dhe kërkojnë më tepër angazhim e përpjekje për të mënjanuar vështirësitë apo pengesat që mund të pengojnë arritjen e qëllimit.
Puna është një veprimtari e vullnetshme, në të shfaqet qartë vullneti i njeriut. Ajo gjithnjë lidhet me veprimet e qëllimshme, me njohjen e qëllimit dhe rezultatet e saja.
Në procesin e punës fizike dhe mendore njeriut i duhet të mobilizohet dhe të punojë me tension. Ka raste kur atij i duket se nuk ka më forcë për të punuar më gjatë, por, megjithatë, nën ndikimin e ndjenjës së detyrës dhe bindjeve morale mobilizon të gjitha forcat e veta dhe vazhdon përsëri të punojë.
Pra, vullneti shfaqet kur njeriu has pengesa dhe vështirësi, të cilat njeriu i kapërcen. Pengesat dhe vështirësitë mund të jenë të llojeve të ndryshme si të brendshme ashtu edhe të jashtme, sa objektive aq edhe subjektive. Vullneti lidhet ngushtë me të menduarit, me të folurit, me ndjenjat etj. Me anën e të menduarit njeriu përcakton qëllimin dhe gjen mjetet për arritjen e tij. Para se të fillojë një punë, njeriu mendon se si ta bëjë atë, pse duhet vepruar ashtu, cilat duhet të jenë pasojat e veprimit, çfarë vështirësish mund t’i paraqiten dhe si duhet t’i kapërcejë ato. Pra vullnet është procesi i veprimtarisë së vetëdijshme të njeriut, që karakterizohet nga aftësia për të kapërcyer pengesa dhe vështirësi që dalin në arritjen e qëllimit.
Vullnet formohet gjatë vetë procesit të jetës së njeriut, duke përvetësuar përvojën e brezave të kaluar dhe duke e përsëritur në kushte të ngjashme ose të reja. Vullneti përcaktohet dhe ndryshon në varësi të kushteve historike, marrëdhënieve shoqërore, kushtve të jetesës, botkuptimi, bindjeve etj.

Share

Check Also

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve: Nëna të puthë kur të sheh. Babai të do pa të parë. Nëna…