Veçoritë kryesore të vëmendjes

Veçoritë kryesore të vëmendjes janë: lëvisshmëria, përqëndrimi, vëllimi, shpërndarja, qëndrueshmëria, paqëndrueshmëria dhe hutesa.
1. Lëvisshmëria e vëmendjes është aftësia e vetëdijes për të kaluar me lehtësi nga një objekt në tjetrin ose nga një lloj veprimtarie në tjetrën.
Lëvisshmëria e vëmendjes është një veçori që zhvillohet dhe edukohet në veprimtarinë praktike të njeriut. Ajo mund të bëhet në mënyrë të vullnetshme ose të pavullnetshme. Kur bëhet në mënyrë të vullnetshme, me një qëllim të caktuar quhet zhvendosje e vëmendjes. Ndërsa kur bëhet pa ndonjë qëllim, quhet tërheqje e vëmendjes.
Zhvendosja e vëmendjes bëhet herë me lehtësi e herë me vështirësi, kjo varet nga fakti se sa intensive ka qënë ajo ndaj objekteve apo veprimtarisë së parë si dhe nga karakteri i objekteve apo veprimeve të reja ku ajo tani drejtohet.
Ashtu si veçoritë e tjera të vëmendjes edhe lëvisshmëria e saj mund të ushtrohet me anë të lojrave dhe ushtrimeve të ndryshme mendore në mënyrë që të fitohet aftësia e kontrollit dhe zhvendosjes në mënyrë të vullnetshme të saj.
Kjo kërkon aftësi për tu orjentuar dhe përshtatur më shpejt me kushtet ose rrethanat që ndryshojnë në mënyrë të papritur.
Baza fiziologjike e lëvisshmërisë së vëmendjes është zhvendosja e vatrës më nxitshmëri optimale nga një qëndër e kores së trurit në një qëndër tjetër të saj.
2. Përqëndrim të vëmendjes kemi atëhere, kur e drejtojmë atë në një objekt ose në një lloj veprimtarie. Përqëndrimi është fenomen i kundërt me shpërndarjen e vëmendjes dhe karakterizohet nga shkalla e drejtimit të saj në një objekt të caktuar dhe shkalla e shkëputjes nga objektet e tjera. E tillë është vëmendja p.sh. kur shkojmë perin në gjilpërë, kur zgjidhim një detyrë mendore, dëgjojmë një tregim interesant etj.
Të përqëndruarit e vëmendjes luan një rol të madh si në procesin e përvetësimit të njohurive ashtu dhe në kryerjen me sukses të detyrave apo veprimtarive të tjera jetësore. Aftësia e përqëndrimit të vëmendjes nuk është e lindur. Ajo mund të zhvillohet dhe edukohet në veprimtarinë e përditshme, veçanërisht gjatë proceseve mësimore.
Baza fiziologjike e përqëndrimit të vëmendjes së vullnetshme është vatra e nxitjes optimale në një nga sektorët e kores së trurit që shoqërohet nga një frenim i fuqishëm i sektorëve të tjerë aktiv.

3. Vëllimi i vëmendjes karakterizohet nga sasia e objekteve që mund të pasqyrohen shpejt, njëkohësisht dhe me qartësi të njejtë në vetëdijen tonë. Vëllimi i vëmendjes është një cilësi pozitive dhe ka një rëndësi të madhe për jetën e njeriut. Sipas vëllimit vëmendja mund të jetë e ngushtë ose e gjërë. Për të përcaktuar vëllimin e vëmendjes përdoret një aparat që quhet tahistoskop. Nga rezultatet e eksperimenteve është vërtetuar se njeriu i rritur mund të kapë me vëmendjen e tij brenda 1/20 fraksion të sekondës, mesatarisht 4-6 objekte njëkohësisht të cilët nuk kanë lidhje ndërmjet tyre, ndërsa fëmijët e moshës 6 vjeç mund të kapin 1-2. Dhe në qoftë se sendet kanë lidhje ndërmjet tyre ky numër rritet.
Baza fiziologjike e vëllimit të vëmendjes është të zgjeruarit ose të ngushtuarit e vatrave me nxitshmëri optimale në koren e trurit.

4. Shpërndarja e vëmendjes nënkupton një organizim të tillë të veprimtarisë psikike gjatë së cilës kryhen njëkohësisht dy ose më tepër veprime. Aftësia për ta shpërndarë vëmendjen luan një rol të madh në çdo lloj pune.
Shpërndarja e vëmendjes varet shumë nga shkalla e zotërimit të veprimeve të dhëna. Sa më shumë që ta njohim një veprim, sa më i zakonshëm që të jetë bërë ai, aq më lehtë e kemi që ta kryejmë atë njëkohësisht me veprime të tjera.

5. Qëndrueshmëria e vëmendjes është aftësia për ta ruajtur atë për një kohë të gjatë në një objekt ose fenomen të caktuar. Treguesi i qëndrueshmërisë së vëmendjes ështëkoha, gjatë së cilës bëhet pasqyrimi i sendeve apo i veprimtarive të ndryshme në vetëdijen tonë. Duhet pasur parasysh se me qëndrueshmëri të vëmendjes nuk do të kuptojmë vetëm drejtimin e saj të vazhdueshëm në po të njejtin objekt. Objektet e veprimtarisë mund të ndryshohen, ndërsa vëmendja drejtohet vazhdimisht mbi veprimtarinë në mënyrë të qëndrueshme. Për kryerjen e çdo pune kërkohet një kohë e caktuar. Prandaj, çdo njeri duhet të ketë vëmendje të qëndrueshme, sepse po nuk mundi ta përqëndrojë vëmendjen për një kohë të mjaftueshme mbi një pbjekt, ai nuk do të mundet as të luaj, as të mësojë e as të kryej ndonjë punë të dobishme.
Qëndrueshmëria e vëmendjes varet nga përmbajtja e punës ose karakteri i objektit. Në qoftë se puna ose objekti ku drejtohet vëmendja është me përmbajtje të pasur dhe interesante, atëhere dhe qëndrueshmëria e saj do të ruhet për një kohë të gjatë. Por, në qoftë se objekti do të jetë i varfër nga përmbajtja, vëmendja do të lëkundet dhe nuk do të përqëndrohet.
Për ruajtjen e qëndrueshmërisë së vëmendjes rol të rëndësishëm luajnë edhe faktorë të tillë si gjendja emocionale, vullneti, interesat, kushtet e përshtatshme të punës, gjendja shëndetësore, si dhe evitimi i shkaqeve të tjera që pengojnë përqëndrimin.

6. Lëkundja e vëmendjes shprehet në mungesën e qëndrueshmërisë së saj për një kohë të gjatë në një objekt të caktuar. Lëkundjen e vëmendjes duhet ta dallojmë nga rritja ose ulja e përqëndrimi të vëmendjes, kur ajo brenda një kohe të shkurtër bëhet më pak ose më shumë e qëndrueshme. Lëkundjet e vëmendjes i vërejmë edhe atëhere kur ajo është e përqëndruar. Këto lëkundje shprehen në faktin se gjatë përqëndrimit të saj në një veprimtari të caktuar, ajo në momente të ndryshme kalon nga objekti kryesor tek një objekt tjetër dhe pas pak kohe kthehet përsëri tek kryesori.
Lëkundja e vëmendjes shkaktohet nga lodhja e qendrave nervore në procesin e veprimtarisë që kryhet me vëmendje intensive.

Hutesa

Check Also

Agjërimi është shërim për lëkurën

Agjërimi është shërim për lëkurën. Lëkura mbron trupin nga çdo sëmundje e jashtme. Kur tru…