Temperamenti

Një nga veçoritë që bie më tepër në sy dhe që e dallon një njeri nga njerëzit e tjerë, është temperamenti. Po t’i vërejmë njerëzit me kujdes, do të shohim se disa prej tyre i shfaqin ndjenjat në mënyrë të vrullshme, kurse ka të tjerë, ndjenjat e të cilëve nuk janë të forta. Ka disa që kundërveprojnë shpejt ndaj ngjarjeve dhe ndryshimeve që ndodhin, që i kalojnë pa shumë dhembje disfatat dhe fatkeqësitë, ka të tjerë që janë të qëndrueshëm dhe të ngadalshëm përsa i përket ndërrimit të gjëndjeve shpirtërore. Ka njerëz që janë të qetë e të ekuilibruar, ka të tjerë që janë të rrëmbyeshëm dhe të paekuilibruar. Ndeshen në jetë edhe të atillë që janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj çdo ndikimi që ushtrohet mbi ta, por që nuk i shfaqin së jashtmi ndjenjat e tyre.
Të gjitha këto ndryshime, që vihen re në njerëz të ndryshëm, përsa i përket forcës dhe ritmit të përgjithshëm të veprimtarisë dhe të ndjenjave, i përkasin temperamentit.
Temperament quajmë tërësinë e karakteristikave individuale, psikologjike, që shfaqen në shpejtësinë dhe forcën e proceseve psikike në përgjithësi dhe të ndjenjave në veçanti dhe me një shkallë të caktuar të nxitjes dhe të qëndrueshmërisë së tyre.

Share

Check Also

Agjërimi është shërim për lëkurën

Agjërimi është shërim për lëkurën. Lëkura mbron trupin nga çdo sëmundje e jashtme. Kur tru…