Shprehitë dhe zakonet

Shprehitë nuk lindin bashkë me njeriun; ato fitohen gjatë jetës. Në jetën e përditshme përsërisim shpesh të njejtin veprim të vullnetshëm. Disa nga këto veprime janë përbërëse të vazhdueshme dhe fizike të aktivitetit. Kështu p.sh. hapim derën, ngjitim shkallët, vishemi, shkruajmë, lexojmë, llogarisim etj.
Nga përvoja e mëparshme dimë që veprimet e përsëritura zbatohen më lehtë dhe më shpejt. Në fillim, kur përvetësojmë një model të ri veprimi, punët kryhen më me vështirësi, kërkohet përqëndrim, i vëmendjes dhe përpjekje të mëdha. Këto më mirë i vëmë re tek fëmijët e vegjël, kur ata mësojnë të flasin, të ecin apo të bëjnë ndonjë gjë tjetër. Por më vonë ata fillojnë t’i kryejnë me lehtësi këto veprime.
Kështu njeriu i rritur nuk bën ndonjë përpjekje të veçantë që të ecë, të shkruajë, të përllogarisë etj. Kjo ndodh sepse veprimet janë fiksuar dhe forcuar d.m.th. janë automatizuar. Dhe është e mjaftueshme vetëm të synojmë t’i bëjmë dhe ato kryhen në mënyrë automatike. Në këtë rast themi se këto veprime u kthyen në shprehi. Pra, shprehi quajmë komponentët e automatizuar të një veprimtarie të vetëdijshme, që formohet si rrjedhim i ushtrimeve të vazhdueshme që bën njeriu në atë veprimtari.
Automatizimi i disa veprimeve arrihet nëpërmjet të ushtruarit dhe shprehet në kryerjen me lehtësi dhe shpejt të veprimeve. Nga ana fiziologjike shprehitë kanë si bazë reflekset e kushtëzuara, që janë organizuar në një sistem ose steriotip dinamik. Në këtë sistem është e mjaftueshme të nxitësh refleksin e parë, që pastaj të vihen në lëvizje të gjitha ato reflekse, që bëjnë pjesë në këtë steriotip.
Shprehitë kanë rëndësi gjatë veprimtarisë së njeriut. Kështu p.sh. kur ecim në rrugë dhe gjatë kësaj kohe diskutojmë, shikojmë rreth e përqark, mendohemi për çështje të ndryshme, Në këtë rast jemi të përqëndruar në diskutim dhe nuk preokupohemi në mënyrë të veçantë për ecjen tonë, sepse ecja është bërë shprehi. Shprehitë nuk e zvogëlojnë asnjëherë veprimtarinë. Përkundrazi ato si komponentë të automatizuar të veprimtarisë e lehtësojnë kryerjen e saj.
Për formimin e shprehive luajnë rol edhe njohuritë. Vazhdimisht ne mësojmë dhe kështu fitojmë shprehi të reja. Në veprimtarinë tonë shprehitë përpunohen në bazë të disa njohurive. Njohuritë e paqarta mbi veprimtarinë që do të kryhet kanë një ndikim negativ mbi shprehitë që formohen. Por kuptohet, asnjë njohje e përsosur e veprimit që do të kryhet, nuk mjafton për të formuar shprehinë konkrete. Përveç kësaj, kërkohet edhe të ushtruarit për formimin e saj. Ushtrimi nuk reduktohet në një përsëritje të thjeshtë të veprimeve.
Ai duhet të krijojë mundësinë e një perfeksionimi të vazhdueshëm të veprimit dhe një bahkërendim të lëvizjeve që e përbëjnë. Për këtë duhet vëmedje në lidhje me përcaktimin e vështirësive dhe mënjanimin e tyre. Gjatë ushtrimit zbulojmë procese, që japin rezultate të mira dhe këto ruhen, regjistrohen, përvetësohen, duke fituar kështu shprehi të reja. Në procesin e ushtrimit arrijmë të mënjanojmë lëvizjet e padobishme dhe të pakësojmë përpjekjet. Kështu, veprimi fillon të kryhet pa vështirësi, më shpejt dhe në mënyrë më ekonomike dhe produktive.
Njeriu gjatë jetës, krahas shprehive, fiton edhe zakone. Zakonet, ashtu si edhe shprehitë, janë elemente të automatizuara të sjelljes. Mirëpo kanë edhe ndryshime. Shprehia është zotësia për të kryer në mënyrë të automatizuar, pa një farë kontrolli special të vetëdijes, këto ose ato komponentë, kurse zakoni është prirja ose nevoja për të kryer këto apo ato akte të automatizuara. P.sh. shprehia e të larit të duarve është zotësia për të kryer këtë proces me shkathtësi dhe në mënyrë auromatike. Zakoni i të larit të duarve, para dhe pas ngrënies së bukës, është nevoja për ta kryer këtë akt në një kohë dhe situatë të caktuar. Moskryerja e këtij akti i sjell njeriut një farë shqetësimi.
Një ndryshim tjetër ndrmjet shprehive dhe zakoneve është se shprehitë janë gjithmonë të dobishme, sepse formohen me anën e ushtrimeve të bëra me qëllim, kurse zakonet mund të jenë të dobishme dhe të dëmshme.
Zakonet formohen si rezultat i përsëritjeve të thjeshta e të njëpasnjëshme dhe që kërkojnë një farë kohe. E rëndësishme është që të formojmë zakone pozitive dhe të luftojmë qysh në fillim kundër zakoneve negative.

Share

Check Also

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve: Nëna të puthë kur të sheh. Babai të do pa të parë. Nëna…