Përfytyrimet

Si bazë kryesore për kujtesën shërbejnë përfytyrimet.
Përfytyrimet janë të ngjashme me perceptimet. Por, nëse figurat e perceptimeve lindin nga kontakti i drejtpërdrejtë me objektet apo sendet më organet e shqisave, figurat e përfytyrimeve lindin në bazë të perceptimeve të kaluara. Kështu p.sh. me sy të mbyllur njeriu mund të përfytyrojë çfarëdo objekti që ka pas perceptuar më parë.
Përfytyrimet ndryshojnë nga figurat e perceptimeve. Ky ndryshim vërehet në këto drejtime:
a) Perceptimet janë më të qarta dhe më të sakta nga figurat e përfytyrimeve. P.sh. figura e një njeriu përfytyrohet qartë kur ai qëndron para nesh, ndërsa kur nuk e perceptojmë drejtpërsëdrejti me anë të organeve të shqisave, figura e tij shfaqet si e zbetë dhe e turbullt.
b) Përfytyrimet shpesh janë fragmentare d.m.th. të pjesshme, në krahasim me perceptimet, të cilat janë të plota. Kështu p.sh. nëse do të përpiqemi të përfytyrojmë një njeri të njohur me të gjitha veçoritç e tij, do të mund të sjellim para syve të mendjes herë fytyrën e tij, herë buzëqeshjen, herë zërin, herë mënyrën e veshjes etj, etj.
Zakonisht përfytyrojmë më qartë ato gjëra që na lënë më shumë mbresa.
c) Figurat e perceptimeve qëndrojnë në vetëdijen tonë përderisa objekti vepron mbi organet e shqisave, ndërsa figurat e përfytyrimeve janë të paqëndrueshme. Kështu, po të përpiqemi të përfytyrojmë figurën e ndonjë të afërmit tonë, kjo figurë nuk do të qëndrojë gjatë përpara syve të mëndjes, por shpejt do të zëvendësohet me një tjetër figurë. Për ta ringjallur (përsëri) përfytyrimin e një objekti të caktuar duhet të bëjmë disa përpjekje të vullnetshme.
d) Së fundi, përfytyrimet kanë karakter përgjithësues, ato janë përgjithësimi i perceptimeve, sepse në të shumtën e rasteve, kanë të bëjnë me një farë përpunimi të figurave të perceptimeve. P. sh. përfytyrimi i një të afërmi që ndodhet larg nesh ndodh duke përpunuar perceptime të ndryshme të tij dhe duke formuar me to një figurë të vetme. Kjo si rezultat i përgjithësimit të rasteve të veçanta të perceptimeve.
Përfytyrimet përmbajnë në vetvete figura të imagjinatës, të të menduarit dhe të ndjenjave.

Check Also

Llojet e imagjinatës

Llojet e imagjinatës Llojet kryesore të imagjinatës janë këto: imagjinata e pavullnetshme …