PERCEPTIMET

Njohuri të përgjithshme mbi perceptimet.

Perceptimi është një proces më i ndërlikuar se ndijimi. Ai lidhet ngushtë me të, por në të njejtën kohë ndryshon shumë nga ai.
Perceptim quajmë pasqyrimin në vetëdijen tonë të veprimit të drejtpërdrejtë në organet e shqisave, të objekteve, sendeve dhe fenomeneve në tërësinë e tyre.
Perceptimi është i ngjashëm me ndijimin dhe lidhet ngushtë me të pasi ai përbëhet nga një grup ndijimesh, Kjo ndodh për arsye se çdo objekt apo fenomen përbëhet nga një sërë cilësish dhe karakteristikash të veçanta. Çdo cilësi dhe karakteristikë e objektit pasqyrohet në vetëdijen tonë me anë të një ndijimi të caktuar.
Pasqyrimi i të gjitha cilësive të një objekti të dhënë në vetëdijen tonë përfaqëson perceptimin nga ne të objektit në fjalë. Kështu në qoftë se marrim një laps në dorë, ne dallojmë tek ai lëmueshmërinë, peshën, formën, përmasat, ngjyrën e jashtme, ngjyrën e grafitit, dëgjojmë zhurmën e lehtë të tij kur shkruajmë etj. Të gjitha këto të marra veç e veç përfaqësojnë ndijime të veçanta (të të parit, të dëgjuarit, të prekurit, etj). Ndërsa pasqyrimi i drejtpërdrejtë në vetëdije i objektit që gëzon këto karakteristika përfaqson perceptimin. Pikërisht këtu qëndron ngjashmëria dhe ndryshimi ndërmjet ndijimit dhe perceptimit.
Kur kemi të bëjmë perceptim të një objekti, ne dallojmë shumë cilësi dhe karakteristika të lidhura organikisht me njëra-tjetrën e që përbëjnë objektin në tërësi. Nuk do të kishim asnjëherë fytyrën e plotë të një objekti po qe se cilësitë dhe karakteristikat e tij do t’i pasqyronim të shkëputura nga njëra-tjetra, ose në qoftë se veçoritë e fenomeneve do t’i trajtonim duke i bashkuar mekanikisht. Përkundrazi, perceptimi nënkupton pasqyrimin në vetëdije të raporteve të caktuara të cilësive të veçanta, të cilat gjejnë shprehjen e tyre në formën e sendeve dhe fenomeneve konkrete.
Perceptimi si proces psikik i komplikuar bazohet dhe ka lidhje jo vetëm me ndijimet, por edhe me proceset e tjera psikike, me përvojën e secilit individ, profesionin, moshën etj.
Sa më të zhvilluar të jenë organet e shqisave, me aë të të cilëve njeriu realizon ndijimet, sa më të jenë dijet e njeriut, sa më e madhe të jetë përvoja e tij, aq më i plotë do të jetë perceptimi i një objekti.
Kur flasim për përvojën dhe ndikimet e saj në perceptim duhet të kemi patjetër parasysh se ajo lidhet ngushtë me kujtesën, sepse në qoftë se në të do mungonte kujtesa, atëhere çdo objekt ose fenomen do të perceptohesh nga ne si i ri dhe i panjohur më parë.
Perceptimi nuk lidhet vetëm me ndijimin, me përvojën personale dhe me kujtesën. Ai lidhet edhe me procese të tjera psikike, siç janë të menduarit, të folurit, ndjenjat, vullneti etj.
Në qoftë se si bazë fiziologjike e ndijimit shërbejnë proceset e nxitjeve nervore që shkaktohen nga ngacmues të veçantë që veprojnë vetëm në një analizator dhe pasqyrohen në vatrën përkatëse, si bazë fiziologjike e perceptimit shërben tërësia e nxitjeve nervore të cilat shkaktohen nga ngacmues të shumtë e të ndërlikuar, që njëkohësisht në disa analizatorë të ndryshëm dhe realizohen në sajë të veprimtarisë analitiko-sintetike të kores së trurit.

Check Also

IMAGJINATA

IMAGJINATA Njohuri të përgjithshme për imagjinatën. Kemi thënë se me anë të perceptimeve n…