Autor: Agron Islami
Kur të derdhen përmbi zemrën tënde brengat me gjithë fuqinë që kanë, e të digjet ajo nga zjarri i tyre, ti derdh mbi to flladin dhe Ujin e Mëshirës, me të cilin Ujë, ky zjarr do të fiket, e ti do ta ngresh dhe forcosh karakterin tënd shpirtëror, do ta ndriçosh fytyrën dhe do ta zgjerosh gjoksin tënd!
Një njeri shkoi tek Hasan Basriu te urtari i devotshëm, dhe iu ankua atij duke i thënë:
– “Kam një zemër si guri të ngurtë!”
– “Edukoje dhe lëmoje atë me dhikër!” – ia ktheu ai.
Të pushtohesh nga gajlet e dynjasë, nga tronditjet e ditëve dhe netëve të saj, nga shpifjet, ofendimet dhe keqtrajtimet e banorëve të saj, do të thotë që s’të ka mbetur gjë tjetër, pos që të shterresh energjikisht dhe të pësosh rënie shpirtërore. Ama jo! Ty nuk do të ndodh kjo! Ngaqë ti e ke armën më të fortë, armën, të cilën e patën Profetët e Allahut, njerëzit e mirë e të devotshëm, dijetarët dhe adhuruesit, mbretërit e lumturisë, e ajo armë, s’do mend se është dhikri!
Po i deshe bahçet e Xhenetit;
Mos i prit ato vetëm pas Kiametit;
Dhikri është Parajsë në vetvete;
Përjetoje sa t’i takosh kësaj jete!
Unë s’di të ta tregoj;
Them: çdokush duhet vetë ta përjetojë;
Meqë është fazë shpirtërore;
Nuk e shpjegon dot gjuha njerëzore!
Një orë dhikër;
Në një skajë larg botës;
Më e mirë për ty se ç’ka;
Mes Qiellit dhe Tokës!
Të ulesh në një skaj të botës, të thellohesh në meditim dhe kontemplim mbi Zotin Fuqiplotë dhe mrekullinë e pafundme të kri­jimtarisë së Tij, e buzët tua të lëvizin duke e për­mendur, ngritur, madhëruar, lavdëruar dhe nderuar Atë me fjalë dhe lutje madhëruese, është kjo gjendje, pa dyshim oksigjeni i zemrës.
“Ata të cilët besuan u qetësohen zemrat me të përmendur Allahun. E vërtet me të përmendurit Allahun qetësohen zemrat!” (Erraëd 28)
Po, pra! Ai shte i Gjallë, edhe kur nuk ekzistonte asgjë, i Gjallë kur ekziston shumëgjë dhe i Gjallë përsëri kur nuk do të gjallojë dhe frymojë asgjë.
I Gjallë, që nuk do të vdesë kurrë, i Pushtetshëm, që nuk e merr kotja e as gjumi kurrë! Ndaj dhe ti gjen prehje kur e përmend Emrin e Tij të madh!
Një dijetar thoshte:
– “Të gjorë banorët e Tokës, u larguan e dolën nga jeta duke mos e shijuar më të mirën e saj”.
– “Cila është më e mira e saj” – e pyetën?
– “Dashuria për Zotin dhe dhikri” – iu tha ai.
– “Unë e di se kur më përmend mua Zoti im” – tha Malik ibën Dinari.
– “E kur të përmend ty Zoti?!!” – e pyetën me kureshtje.
– “Kur e përmendi unë Atë, më përmend atëherë edhe Ai mua!” – iu tha Malik ibën Dinari.
Dhikri, s’ka fjalë!
I zhbllokon frikërat, i liron emocionet e shtrënguara, e ngopë brendinë dhe e plotënon Atë, pasi, atë nuk e ngopë gjë tjetër, por dhikrit, ku përmendet Zoti i Gjithëfuqishëm.
Dhikri: Subhanallah, elhamdulilah, Allahu Ekber, La ilahe ilallah.

Check Also

Emri “ALLAH”

Argument për këtë emër kemi fjalën e Allahut të Lartësuar: “Allahu është vetëm një Allah; …