nekroza

Format kryesore të nekrozës

Dallohen disa format kryesore të nekrozave, ashtu si edhe disa forma të tjera më të rralla dhe më speciale.
Nekroza e njomë (nekroza kolikuative). Ajo zhvillohet kryesisht nga indet e pasura në lipide që përmbajnë shumë yndyma dhe që kanë sistem enzimatik shumë aktiv. Gjithashtu nekroza e njomë zhvillohet në rastet e veprimit të theksuar të leukociteve, prandaj në inflamacionet supurative një nekrozë e tillë është dukuri e zakonshme. Modeli më tipik i nekrozës kolikuative zhvillohet në tru, aq e vërtetë është kjo sa që nekrozat e trurit thirren encefalomalaci që do të thotë zbutje e trurit. Makroskopikisht masa nekrotike paraqitet e zbutur dhe shpeshherë e lëngëzuar (colliquare =lëngëzoj), kurse mikroskopikisht zakonisht bie në sy zbehtësi e theksuar e prerjeve histopatologjike dhe e citoplazmës së qelizave . Një formë e mirëfillët e nekrozës kolikuative është i ashtuquajturi macerim i fetusit . Një gjendje e tillë ndodh në kushtet kur fetusi qëndron për disa kohë i vdekur brenda në uterus. Lëkura e fetusit lëngëzohet mbushet me flluska dhe dora-dorës zhvishet dhe bie e tëra. Thelbi i një lezioni të tillë është autoliza indore. Në të vërtetë nekroza kolikuative bëhet me mekanizma fermentative autolitike.


Nekroza e thatë (nekroza koagulative). Ajo zhvillohet si rezultat i denatyrimit dhe mpiksjes së proteinave indore. Takohet në shumë organe (veshka, miokard, mëlçi, etj.) me përjashtim të trurit. Makroskopikisht masa nekrotike paraqitet e thatë, kurse mikroskopikisht ka pamje eozinofilike dhe me ruajtje të siluetave qelizore ose të struktura të tjera të nekrotizuara. Kështu për shembull nekroza koagulative e tubulave renale e mban mirë formën e tyre, por në to nuk dallohen strukturat qelizore, sidomos nuk dallohen bërthamat e qelizave epiteliale.


Gangrena është një formë e nekrozës në të cilë veprojnë faktorë të ndryshëm të mjedisit dhe që krijojnë atje disa ndryshime sekondare të masës nekrotike. Kështu p.sh. nekroza e anësive të poshtme, zakonisht e shkaktuar nga ateroskleroza ose diabeti i sheqerit quhet gangrenë sepse mbi të veprojnë faktorët atmosferik të rnjedisit të jashtëm . Për këtë arsye materiali nekrotik mund të thahet ose mund të lengëzohet. Madje gangrena ashtu si gjithë nekrozat, mund të jetë e njomë ose e thatë. Gjithashtu kemi gangrenë të zorrëve, sepse mbi nekrozën e këtij organi yepron flora mikrobiale që zakonisht është e pranishme atje. Gangrena zhvillohet edhe në faza të thelluara të inflamacioneve të organeve të ndryshme, si p.sh. gangrenë të apendiksit gjatë apendiciteve (apendicit gangrenoz), gangrenë fshikëzës së tëmthit gjatë kolecistiteve (kolecistit gangrenoz), etj. Ka dhe një formë të vaçantë që quhet gangrenë gazoze, e cila shkaktohet nga veprimi i bakterieve anaer­obe (putride). Një formë e gangrenës është edhe e ashtuquajtura noma, e cila paraqet një gangrenë përparuese që thellohet gjithnjë e më shumë dhe që zakonisht zhvillohet në individë mne forca reaktive të rrënuara.

3.1.3. Format e veçanta te nekrozes

Format e veçanta të nekrozës janë variacione të tipave themelore të nekrozës, të cilat kushtëzohen nga faktorë të ndryshëm, por para së gjithash nga natyra e indit që i nënshtrohet nekrozës nga lloji i agjentit etiplogjik si dhe nga faktorë dhe rrethanat evolutive të veçanta që mund të veprojnë mbi të. Disa nga format e nekrozave të veçanta janë:
Nekroza e indit dhjamor (cytosteatonecrosus). Në të vërtetë ajo është një nekrozë kolikuative, e cila zhvillohet në indin dhjamor dhe që shkaktohet nga zbërthimi enzimatik i qelizave dhjamore prej veprimit të lipazava pankreatike, të cilat çlirohen nga pankreasi dhe depërtojnë në indin dhjamor që gjendet përreth tij. Ajo zakonisht takohet gjatë pankreatitit akut dhe makroskopikisht karakterizohet nga formimi i vatrave të shumta nekrotike në pankreas.Të cilat janë me ngjyrë të bardhë si shkumës ose si “njollat e qiririt”. Trigliceridet që rrjedhin nga qelizat dhjamore të vdekura zbërthehen nën veprimin e lipazave në glycerol dhe në acide ydyrore. Pjesa më e madhe e këtyre të fundit lidhet me kriprat e kalciumit dhe krijon sapunet kalcike. Mikroskopikisht qelizat dhjamore nekrotike kanë konturele mjergullta e të papërcaktuara mirë, përmbajtja yndyrore e të cilave është e shkrirë . Sapunet kalcike paraqiten si depozitime bazofile amorfe (me prirje për tu ngjyrosur nga hemotoksilina).
Nekroza kazeoze. Është karakteristike për tuberkulozin. Makroskopikisht ajo paraqitet si një material i bardhë i butë, por i thërmueshëm; ashtu si djathi i freskët apo gjiza (latinisht caseum =djatht). Në të vërtet nekroza kazeoze është një kombinim i nekrozës së thatë me atë të njomë. Prandaj qelizat e vdekura nuk lëngëzohen plotësisht por as nuk i ruajnë konturet e tyre, kështu që mikroskopikisht krijojne një material homogjen e eozinofilk ku nuk dallohet strukture qelizore.
Nekroza hemoragjike. Është një formë nekroze kolikuative ose koagulative që shoqërohet me përmbytje masive të indeve nga gjaku. Në shumicën e rasteve nekroza ndodh e para në kohë dhe vetem më vonë ajo përmbytet me gjak. Më shpesh nekrozat hemoragjike zhvillohen në mushkëri dhe në zorrë dhe lidhen me pengesat e qarkullimit të gjakut. Pas ndalimit të furnizimit me gjak arterial paretet kapilare pësojnë ndryshime të pakthyeshme të tyre dhe bëhen shumë të brishta. Në rast se qarkullimi rivendoset atëherë gjaku shkatërron kapilaret, sepse ata nuk janë në gjendje të mbajnë presionin perfuziv dhe për rrjedhoje gjaku derdhet në hapësirat intersticiale. Vatra nekrotike fryhet dhe merr ngjyrë të kuqe të errët.
Në disa raste shtrirja në kohë e proceseve hemoragjike e nekrotike është e kundërt me atë që ekspozuam më sipër. Ndodh që një hemoragji masive në ind mund të shkaktojë nekrozë anoksike. Kështu p.sh. një hemorragji në masat tumorale, në tëstikuj, në gjëndrën mbiveshkore, në tru, etj shkakton nekrozë të strukturave përkatëse.

Check Also

Terapia për ejakulim të hershëm (mos kenaqësi në mardhënie intime bashkshortore)

Terapia Pas sabahut njëqind herë të deklarohet: ”La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike le…