Pyetja:

Jam e martuar, kam fëmijë, burrin e kam elhamdulilah shumë të devotshëm në rrugë të Allahut, mirëpo tani pas disa vitesh martesë kam marrë informata se burri im ka shkuar me disa vajza më parë dhe nuk më ka treguar dhe as sot nuk po e pranon. Unë ia kam gjetur edhe disa fotografi të vajzave, mirëpo ai nuk po e pranon, kështu që unë jam shumë xheloze dhe më ka humbur dashuria për të, rrallëherë po e dua. Po i them që të betohet në Allah se nuk ka pasur punë me asnjë vajzë përpos meje, por ai nuk po betohet. A kam të drejt ta pyes unë burrin vazhdimisht për këtë rast dhe a bën ta detyroj të bëjë be, ose më këshilloni se si t’ia bëj. Burri nganjëherë më thotë se edhe nëse kam shkuar me ndonjë vajzë, kam qenë i ri dhe në kohën e xhahilietit, mirëpo, kur e kam kuptuar, jam penduar sinqerisht tek Allahu dhe më nuk e përsëris kurrë.
Edhe një herë kërkoj prej jush që të më këshilloni se si të veproj me burrin tim, në qoftë se e pranon ai apo nuk e pranon se ka shkuar me femra të tjera para se të martohem me të. Mirëpo tani i besoj se është shumë i sjellshëm dhe është i përqendruar në rrugë të Allahut. Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Fillimisht lus Allahun e Lartësuar që të na i falë mëkatet tona, të na mëshirojë ne, ju dhe të gjithë muslimanët! Gjithashtu e lus Atë të na i mbulojë të këqijat në këtë botë dhe në botën tjetër!

Motër e nderuar! Letra juaj na kujton se sa e rrezikshme mund të jetë dinakëria e shejtanit dhe se me sa shumë forma depërton ky i mallkuar në zemrat e njerëzve për të turbulluar çdo rehati, kënaqësi dhe qetësi në mes njerëzve, posaçërisht mes burrit dhe gruas.
Motër e nderuar! Për ne sjellja dhe insistimi juaj është aq i çuditshëm sa edhe tentativa e shejtanit për të shkatërruar raportin mes jush dhe burrit tuaj. Ju, në vend që ta falënderoni Allahun që jeni takuar me një djalë besimtar, të devotshëm, ndaj të cilit tani nuk gjeni vërejtje, shkoni dhe hulumtoni etapat në të cilat ka kaluar ai.

Nuk jam për ta pastruar burrin tuaj nga mëkatet dhe nuk mohojmë se mund të ketë ndodhur diçka prej asaj që ju dyshoni, por çfarë dëshironi të arrini me këtë? Nëse kuptoni se burri juaj ka vepruar diçka prej mëkateve për të cilat dyshoni, çfarë do të veproni?
Do të kërkoni shkurorëzim, do të ndaheni nga ai? Pastaj, çfarë do të realizoni me këtë veprim? Do të realizoni synimin e shejtanit, pasi ndarja e burrit nga gruaja konsiderohet si arritja më e madhe e tij.
Nuk ka asnjë njeri që u ka shpëtuar mëkateve, prandaj kini kujdes dhe mos vazhdoni me këto sjellje dhe pyetje drejtuar burrit tuaj. Në këto gjëra kanë rënë edhe sahabët e Muhamedit salallahu alejhi ue selem, por pasi pranuan Islamin u përmirësuan dhe iu kthyen jetës në përputhje me mësimet islame. Po ashtu veproi edhe burri juaj; ai, nëse ka bërë diçka nga mëkatet, tani është penduar dhe i është drejtuar Allahut dhe nuk dëshiron t`i kthehet më asaj dhe çdo insistim i juaji që të flasë për gjëra të tilla vetëm se do të kontribuojë për keq dhe nuk do të përmirësojë gjë.

Motër e nderuar, zgjohuni nga hutimi, mos shkatërroni veten dhe familjen tuaj me këto sjellje ndaj burrit tuaj, falënderoni Allahun që burri juaj, nëse ka qenë mëkatar, është përmirësuar dhe i ka lënë ato mëkate dhe tani është bërë një bashkëshort i mirë, siç po dëshmoni edhe ju. Ta dini se me këto mendime dhe polemika që inicioni me burrin tuaj është shejtani ai që kënaqet, pasi ju jeni duke realizuar synimin që ai i ka vënë vetes. Prandaj kini frikë Allahun dhe ndërprisni hulumtimin për këto gjëra në lidhje me burrin tuaj. Respektojeni atë, ndihmohuni në punë të mira dhe në devotshmëri dhe kështu do të arrini ta kënaqni edhe Allahun e Lartësuar.

Alaudin Abazi

Check Also

Si të largohem nga masturbimi ?

Pyetja: Jam vajzë e pamartuar, e re, ka tre vite e më tepër që e bëj masturbimin. Më parë …