Llojet e vëmendjes.

Duke pasur parasysh faktorët që e shkaktojnë vëmendjen, atë e ndajmë në dy lloje kryesore – në vëmendje të vullnetshme dhe të pavullnetshme.
Vëmendje të pavullnetshme quajmë të drejtuarit dhe të përqëndruarit e veprimtarisë sonë psikike në një objekt apo fenomen, pa i vënë vetes ndonjë qëllim të caktuar dhe pa bërë ndonjë përpjekje të veçantë.
Shkaqet e nxitjes së vëmendjes së pavullnetshm janë të ndryshëm për nga lloji dhe karakteristikat. Këto shkaqe mund ti ndajmë në dy kategori.
Në kategorinë e parë të shkaqeve bën pjesë karakteri i ngacmuesit të jashtëm. Këtu duhet përmendur para sëgjithash, forca dhe intesiteti i ngacmuesit. Çdo ngacmues i fortë: tingull i lartë, drita e fortë, goditjet e forta, në mënyrë të pavullnetshme tërheqin vëmendjen tonë.
Rol të rëndësishëm luan në këtë drejtim, jo vetëm forca absolute e ngacmuesit, por edhe ajo relative. Rëndësi të veçantë ka kontrasti ndërmjet ngacmuesve. Dihet se qetësia dhe zhurma, të folurit me zë të ulët dhe të lartë, errësira dhe drita janë kontraste që tërheqin vëmendjen. Ose p.sh. madhësia e një objekti apo veçantia e tij në krahësim me objektet e tjera që e rrethojnë e tërheq më shpejt vëmendjen. Ngacmuesit e rinj dhe ndryshimet e papritura të ngacmuesve janë shkaqe të rëndësishme për tërheqjen e vëmendjes. së pavullnetshme.
Në kategorinë e dytë të shkaqeve që tërheqin vëmendjen e pavullnetshme bën pjesë të përputhurit e ngacmuesit të jashtëm me gjëndjen e brëndshme të njeriut e para së gjithash me kërkesat e tij. Kur na ka marrë uria, të gjitha ngacmimet që na kujtojnë ushqimin, si biseda për të ngrënit, era e këndshme e gjellëve, etj, në mënyrë të pavullnetshme na tërheqin vëmendjen tonë. Ndërsa kur jemi të ngopur nuk ndodh një gjë e tillë.
Për tërheqien e vëmëndjes një rol të rëndësishëm luajnë interesat e njeriut. Interesante, është çdo gjë që lidhet ngushtë me aktivitetin jetësor të njeriut ose me detyrat e tij kryesore.
Baza fiziologjike e vëmendjes së pavullnetshme është refleksi orientues i quajtur “ç’është kjo?”. Në rastet e vëmëndjes së pavullnetshme vatra me nxitshmëri optimale krijohet në sajë të refleksit orientues.
Vëmendja e vullnetshme është të drejtuarit dhe të përqëndruarit e vetëdijshëm të veprimtarisë psikike mbi një objekt apo fenomen me qëllim të caktuar dhe në mënyrë të planifikuar.
Vëmendja e vullnetshme është një kusht i domosdoshëm për kryerjen me sukses të çdo pune fizike ose mendore. Ajo na ndihmon të jemi më efektiv dhe të shpenzojmë më pak kohë dhe energji gjatë kryerjes së një aktiviteti mendor ose fizik.
Vëmendja e vullnetshme krijon mundësinë që ne të merremi jo vetëm me atë punë që na intereson, por edhe me atë që nuk paraqet interes të drejtpërdrejtë d.m.th. jo vetëm me atë që na “pëlqen” por edhe me atë që “duhet”. Vëmendja e vullnetshme shfaqet jo vetëm në sforcimin e vullnetit, por edhe në tensionin e brendshëm nervor dhe psikik të organizmit dhe me një shpenzim të caktuar energjie fizike dhe mendore.
Sa më pak tërheqës dhe interesant të jetë fenomeni, sendi apo objekti, aq më tepër përpjekje kërkon për tu përqëndruar vëmendja mbi të, pra aq më e vullnetshme duhet të jetë vëmendja.
Vëmendja e vullnetshme dallohet dhe përcaktohet nga qëllimet dhe detyrat që vemë para vetes në veprimtarinë tonë, nga përgatitja paraprake dhe qëndrueshmëria e qëllimeve dhe motiveve tona.
Edhe vëmendja e vullnetshme lidhet ngusht me interesat e njeriut. Por, në qoftë se vëmendja e pavullnetshme shkaktohej nga interesat e drejtpërdrejta, vëmendja e pavullnetshme lidhet me interesat në mënyrë jo të drejtpërdrejtë.
Të dyja llojet e vëmendjes janë të lidhura ngushtë ndërmjet tyre. Vëmendja e vullnetshme mund të shndërrohet në vëmendje të pavullnetshme dhe anasjelltas. P.sh ndodh që një lojë apo veprimtari e filluar me shumë interes e që tërheq vëmendjen në mënyrë të pavullnetshme të vështirësohet, bën që të bjerë interesi dhe për ta çuar deri në fund, kërkohet përpjekje e vullnetshme d.m.th. kalon tek vëmendja e vullnetshme.
Nga pikëpamja e fiziologjike vëmendja e vullnetshme lidhet me vatrat me nxitje optimale në koren e trurit, të cilat shkakton dhe përforcohen nga sinjalet ngacmuese “fjalë”. Këto fjalë bëhen stimuli kryesor për të drejtuar vëmendjen mbi këtë apo atë objekt.

Check Also

IMAGJINATA

IMAGJINATA Njohuri të përgjithshme për imagjinatën. Kemi thënë se me anë të perceptimeve n…