Llojet e të folurit

Gjatë zhvillimit të njeriut, që nga fëmijëria e tij e në vazhdim, zhvillohen gradualisht lloje të ndryshme të të menduarit dhe të folurit. Llojet e të folurit janë: të folurit pasiv dhe aktiv, të folurit e jashtëm dhe të brendshëm.
Me të folur pasiv kuptojmë perceptimin e të folurit të një njeriu, ndërsa me të folur aktiv kuptojmë shprehjen e mendimeve me gojë apo me shkrim.
Nga të folurit me gojë dhe me shkrim dhe nga perceptimi i të folurit të të tjerëve lind të folurit e brendshëm. Të folurit e brendshëm është ai lloj të foluri që nuk shfaqet së jashtmi. Ky lloj të foluri shfaqet gjatë veprimtarisë mendore në heshtje, gjatë dramave dhe situatave të rënda që përjeton njeriu etj. Të folurit e brendshëm ndryshon nga llojet e tjeraz të të folurit jo vetëm nga shfaqia së jashtmi, por edhe nga struktura e tij fonetike dhe gramatikore. Ky lloj të foluri zakonisht është më i shkurtër se llojet e tjera të të folurit.
Të folurit e brendshëm ka një funksion shumë të madh gjatë të menduarit në heshtje, sepse impulset e fshehta që dërgon në tru aparati i të folurit krijojnë atje qëndra mbizotëruese që drejtojnë procesin e të menduarit, prandaj të folurit e brendshëm quhet mekanizmi fiziologjik i të menduarit.
Të folurit e jashtëm shfaqet në dy forma, në të folur me gojë dhe në atë me shkrim. Të folurit me gojë shtjellohet në situatën konkrete dhe mund të jetë monolog ose dialog. Situata konkrete e ndihmon shumë atë që flet për t’i komunikuar mendimet një tjetri dhe për ta nxitur atë për veprim. Ndryshe ndodh me të folurit me shkrim. Në të folurit me shkrim situata duhet përfytyruar, mendimet, që i adresohen një personi të caktuar, duhen dhënë qartë e në një formë sa më të kuptueshme. Llojet e ndryshme të folurit kanë një ndikim të thellë dhe e ndihmojnë zhvillimin e njëri-tjetrit.

Share

Check Also

Agjërimi është shërim për lëkurën

Agjërimi është shërim për lëkurën. Lëkura mbron trupin nga çdo sëmundje e jashtme. Kur tru…