Llojet e imagjinatës

Llojet kryesore të imagjinatës janë këto: imagjinata e pavullnetshme ose pasive, e vullnetshme, aktive, imagjinata riprodhuese dhe imagjinata krijuese.
a. Imagjinata e pavullnetshme. Në këtë lloj imagjinate krijimi i figurave të reja të sendeve apo fenomeneve nuk i nënshtrohet vullnetit të njeriut, prandaj dhe quhet e pavullnetshme ose pasive. P.sh. gjatë leximit të një romani në mënyrë të pavullnetshme na krijohen në fantazinë tonë, figura njerëzish, peizazhe, tablo apo skena ku zhvillohen ngjariet etj.
Fantazia e pavullnetshme është shpesh fantazia e njerëzve të plogësht dhe me vullnet të dobët. Ajo kthehet tek këta njerëz në një ëndërr boshe ose siç thotë populli, në një “ëndërr nën diell”.
Ëndërra të tilla boshe dhe të dëmshme e shkëputin njeriun nga realiteti, nga veprimtaria e përbashkët shoqërore dhe ia paralizojnë vullnetin.
Në llojin e imagjinatës së pavullnetshme futen edhe ëndërrat e gjumit. Ëndërrat e gjumit zakonisht krijojnë figura të çuditshme, megjithatë ato kurdoherë janë të lidhura me jetën reale të njeriut. Ëndërrat e gjumit gjejnë shpjegim shkencor. Një grup i tyre janë mbresat e fuqishme të jetës së përditshme, ngjarjet e rëndësishme, çrregullimet e ndryshme dhe mosfunksionim normal i organizmit etj.
Ka dhe grupe të tjera ëndërrash të cilat akoma mbeten mister për shkencën dhe që shpjegohen nga parapsikologjia dhe feja.
b) Imagjinata e vullnetshme ose aktive. Kemi të bëjmë me këtë lloj imagjinate kur në vetëdijen tonë krijohen figura të reja, duke iu nënshtruar një qëllimi të paracaktuar. P.sh. piktori para se të krijojë një vepër të re artistike realiste pa e parë drejtpërsëdrejti në realitet, ai bën fillimisht disa skica të ndryshme në lidhje me atë temë të cilat mund t’i marrë nga realiteti, më pas i përpunon dhe i ndërthur sëbashku dhe në bazë të tyre krijon një tabllo të vetme.
Pra, në këtë lloj imagjinate merr pjesë vullneti, prandaj dhe quhet imagjinatë e vullnetshme.
Të gjithaveprat e artit, zbulimet shkencore, shpikjet, etj, janë produkt i imagjinatës së vullnetshme.
c) Imagjinata riprodhuese. Figurat e imagjinatës riprodhuese janë të lidhura me sende, ngjarje apo fenomene, që kanë qënë ose janë, por që nuk i kemi perceptuar ndonjëherë drejtpërsëdrejti.
Figurat e imagjinatës riprodhuese mbështeten në përvojën dhe njohuritë tona të fituara nga leximet apo dëgjimet. Por, nuk duhet ngatërruar imagjinata riprodhuese me përfytyrimet e kujtesës. Pasi tek përfytyrimet e kujtesës kemi të bëjmë me përfytyrimin e diçkaje të perceptuar më parë drejtpërsëdrejti, ndërsa tek imagjinata riprodhuese kemi të bëjmë thjeshtë me atë që mëndja jonë krijon aty për aty dhe që s’e kemi perceptuar drejtpërsëdrejti.
d) Imagjinata krijuese. Me anë të imagjinatës krijuese lindin në vetëdijen tonë figura të reja, që nuk kanë qënë dhe nuk janë, por që mund të realizohen në praktikë. P.sh. televizori ose raket kozmike në fillim lindën në vetëdijen e shkencëtarëve dhe teknikëve, pastaj ato u realizuan në praktikë. Megjithatë, sado origjinale që të jetë figura e re, ajo mbështetet në përvojën jetësore të njeriut.
Imagjinata ka rëndësi të madhe për secilin individ të çfarëdo profesioni, pasi ajo i hap horizonte të reja për të ardhmen. Ajo në veçanti u shërben artistëve, shkencëtarëve, teknikëve, punëtorëve etj

Share

Check Also

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve: Nëna të puthë kur të sheh. Babai të do pa të parë. Nëna…