Llojet dhe cilësitë e interesave

a) Interesat pozitive dhe negative

Vlera e interesave përcaktohet në radhë të parë nga përmbajtja e tyre. Interesat që nxisin veprimtarinë njohëse të njeriut në dobi të shoqërisë, përfshihen në kategorinë e interesave pozitive, kurse interesat që e nxisin veprimtarinë njohëse të njeriut në objekte, që s’kanë vlerë për shoqërinë, hyjnë në kategorinë e interesave negative.
Interesat pozitive janë interesat që e nxisin njeriun për të fituar dije dhe për t’i vënë ato në shërbim të shoqërisë. Për të zbuluar vlerën e vërtetë të interesave për të fituar një dije, është e nevojshme të kuptojmë se ç’e shtyn njeriun të fitojë njohuri të gjëra dhe të thella. Njerëzit në përgjithësi i shtyn dëshira për t’u dalluar nga të tjerët ose dëshira për të siguruar një post apo vend të rehatshëm pune që të fitojnë njohuri të caktuara. Ndërsa njeriun me qëllime të larta e shoqëron dëshira për t’i shërbyer një grupimi shoqëror të caktuar ku edhe ai bën pjesë, vendit të tij ose njerëzve në përgjithësi. Pra interesat shoqërore kur vihen mbi interesat personale, paraqesin vlerën më të rëndësishme dhe më të dobishme tek një individ.

b) Interesa të shumanshme dhe të njëanshme

Për zhvillimin e gjithanshëm të personalitetit është e domosdoshme që njeriu të ketë interesa të shumanshme dhe të mos përqëndrohet në një objekt ose në një sferë veprimtarie të ngushtë. Kufizimi i interesave të njeriut në një sferë të ngushtë e zhvillon atë në mënyrë të njëanshme, kufizon horizontin e tij mendor dhe pengon zhvillimin e personalitetit të tij. Zhvillimi i harmonishëm i personalitetit kërkon që njeriu të ketë interesa të shumanshme, por këto interesa të ndryshojnë në aspektin e forcës së tyre.

c) Interesat e qëndrueshme dhe të paqëndrueshme

Në jetë vihen re njerëz me natyrë impulsive, emocionale, të cilët i shfaqin në mënyrë të vrullshme interesat, por pas një farë kohe vihet re se ata e kanë zëvendësuar një interes me një tjetër. Nga kjo kuptohet se qëndrueshmëria e interesave nuk përcaktohet aq shumë nga forca sesa nga nga thellësia dhe lidhjet e ngushta të interesave me vetitë e tjera të personalitetit.
Interesat thelbësore, kur ndryshojnë kushtet, duhet të ndryshojnë, pra duhet gërshetuar qëndrueshmëria e interesave me lëvisshmërinë e tyre në përputhje me kushtet dhe nevojat e shoqërisë.

d) Interesat aktive dhe pasive

Duke u nisur nga fakti se me ç’forcë shfaqen dhe sa e nxisin veprimtarinë njohëse të njeriut, interesat i ndajmë në interesa aktive dhe pasive. Interesat pasive nxisin vëmendjen e pavullnetshme dhe me kaq mbaron roli ityre, kurse interesat aktive bëhen shtytëse të njeriut për veprimtari konkrete.
Interesat pasive mund të kalojnë në aktive ose në të kundërtën, interesat aktive mund të kalojnë në pasive sipas kushteve ku jeton njeriu dhe qëllimeve të tij.
P.sh. nëse njeriun e tërheq letërsia, por ai nuk lexon libra, revist, apo gazeta letrare, në këtë rast kemi të bëjmë me një interes pasiv; dhe nëse atë e tërheq letërsia dhe angazhohet dhe kënaqet duke lexuar për të, këtu kemi të bëjmë me interes aktiv.
Përmbajtja, gjërësia, qëndrueshmëria dhe forca e interesave lidhen ngushtë dhe kushtëzojnë njëra-tjetrën.

Share

Check Also

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve: Nëna të puthë kur të sheh. Babai të do pa të parë. Nëna…