Kujdesi nga zemërimi
33. Ebu Hurejrja, radijall-llahu anhu, transmeton se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Nuk është i fuqishëm ai që ka fuqi trupore, i fuqishëm është ai që frenon veten kur zemërohet” (Buhariu dhe Muslimi)  Alalhu, subhanehu ve teala, thotë: “Dhe ata që u shmangën mëkateve të mëdha e të shëmtuara, dhe kur hidhërohen ata falin” (Shura, 37), poashtu thotë: “Ata të cilët japin kur janë në bollëk dhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin njerëzve, e Allahu i do bamirësit” (Ali Imran, 134)  Nga hadithi i lartëpërmendur mësojmë për vlerën e frenimit të mllefit dhe përmbajtjes së vetvetes nga zënka, përçarja dhe dëshira për të fituar gjatë zemërimit.
Ai që frenon zemërimin duke patur mundësi që ta zbatoj atë, ka shpërblim të madh. Pejgamberi, sallallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kush e frenon zemërimin duke patur mundësi që ta realizon atë, e thërret Allahu Ditën e Kijametit para të gjitha krijesave dhe ia mundëson të zgjedh cilën të dëshiron nga hyritë” (Tirmidhiu) Dije se zemërimi i shpejtë është prej veseve të mendjelehtëve ashtu siç është moszemërimi virtyt i të mençurve. Zemërimi mbledh keqardhjen dhe njeriu është më i fortë që të përmirësoj gabimin para se të zemërohet se pas tij. Pasi që zemërimi është prej veseve të shëmtuara, njeriu duhet që të adaptoj veten për t’u larguar nga ai, duke u kujdesur për gjërat që vijojnë:
1. Pasi që zemërimi jo për shkak të Allahut është prej cytjes së djallit atëherë kërkimi i mbrojtjes nga djalli është shkak për largimin e tij. Sulejman ibën Suredi thotë: “Dy njerëz u grindën në prani të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe njërit prej tyre iu skuqën sytë nga zemërimi, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, tha: Unë e di një fjalë të cilën nëse e thotë do të largohet nga ai zemërimi: Eudhu bil-lahi mineshshejtanirraxhim ” (Muslimi)
2. Abdesti e shuan zemërimin, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Zemërimi është prej djallit kurse djalli është krijuar prej zjarrit, e zjarri shuhet me ujë. Kur ndonjëri prej jush zemërohet le të merr abdest” (Ahmedi në Musned)
3. Ndryshimi i pozitës gjatë hidhërimit ndikon në zvogëlimin e tij, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sellem, thotë: “Nëse zemërohesh duke qenë në këmbë, ulu, e nëse zemërohesh duke qenë ulur, ngritu në këmbë – apo tha: shtrihu” (Ahmedi në Musned)
4. Heshtja është ilaç i fuqishëm i zemërimit, thotë Pjgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, “Kur ndonjëri prej jush të zemërohet le të hesht” (Ahmedi) Ky është hidhërimi jo për shkak Allahut, i cili është i ndaluar, kurse hidhërimi i kërkuar dhe i lavdëruar është hidhërimi kur shkelen kufinjtë e Allahut dhe kur duhet të ndihmohet feja e Tij, Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Kush madhëron atë që Allahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për te Zoti i vet.” (Haxh, 30) Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, nuk është hakmarrë për vetveten e tij, mirëpo kur janë shkelë urdhërat e Allahut, subhanehu ve teala, asgjë nuk ka mundur të ndalë zemërimin e tij. Në rastin e gruas nga fisi Mahzum e cila kishte vjedhur e shohim se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, zemërohet pa masë kur ndërmjetëson miku dhe i dashuri i tij, për t’ia falur asaj gabimin,… Xha’fer ibën Muhamedi ka thënë: zemërimi është çelësi i të gjitha të këqiave. I është thënë Abullah ibën Mubarekut: na e përmbledh moralin e lartë në një fjalë! Tha: moszemërimi. Të njejtën fjalë e ka thënë Imam Ahmedi dhe Is-hak ibën Rahuvjea. Transmetohet se një njeri iu drejtua Omer ibën Abdulazizit me disa fjalë që e zemëruan dhe i tha: Dëshiron që të më provokon djalli, ruhu dhe mos e përsërit këtë, Allahu të faltë!

Ahmed Muadh Hakkij

Përktheu: Agim Bekiri

Check Also

Sfidat përmirësojnë inteligjencën

Inteligjenca është diçka e pandryshueshme, një karakteristikë me të cilën ne vijmë në botë…