Karakteristika e temperamenteve

Temperamenti sanguin. Njeriu me temperament sanguin dallohet për shkathtësinë dhe gjallërinë e tij. Të ecurit e ka të shpejtë, lëvizjet në përgjithësi i ka të shumta dhe të shkathëta, të folurit e ka të gjallë dhe të shpejtë, sy të gjallë, mimikë të pasur, që shpreh gjendjen e tij të brendshme. Nxitet shpejt, kundërvepron edhe ndaj ngjarjeve që kanë rëndësi të vogël. Ndjenjat e tij lindin shpejt, nuk janë të forta, i ndryshojnë shpejt dhe i shfaq së jashtmi me anën e mimikës dhe gjesteve të ndryshme.
Zakonisht njeriu me temperament sanguin e kryen me vrull një punë, por në mjaft raste me gabime. Zë shumë miq, por ftohet shpejt prej tyre dhe i lë. Merr përsipër çdo lloj pune, por shpejt mërzitet dhe nuk e çon deri në fund. Me një fjalë, njeriu që ka këtë temperament është i shoqërueshëm, zemërmirë, i zoti për punë, por i mungon këmbëngulja dhe durimi. Meqënëse është i gjallë dhe i lëvizshëm, i ngacmon shumë shokët dhe i pëlqen të merret me sport.
Temperamenti kolerik. Njeriu me temperament kolerik dallohet për lëvizjet dhe për të folurit e tij të gjallë dhe energjik. Gjestet i ka të forta dhe të prera, ndërsa, sytë e tij kanë shikim të mprehtë.
Nxitet shpejt, ndjenjat i lindin shpejt, i ka të forta dhe i shfaq së jashtmi. Zakonisht njeriu me temperament kolerik çdo gjë e bën me vrull dhe me pasion. Në kundërshtim me sanguinin, është këmbëngulës dhe ka durim. Flet shpejt e me zjarr, prandaj fjala e tij është bindëse.
Temperamenti flegmatik. Njeriu me temperament flegmatik bie menjëherë në sy. Ai është i qetë, bën lëvizje të pakta dhe të ngadalta. Shikimi i tij është i qetë dhe të folurit e ka të ngadaltë. Si nxitja ashtu edhe frenimi lindin tek ai me vështirësi. Vetëm ngjarjet shumë të forta i shkaktojnë ndjenja, të cilat cilat zakonisht i ka të dobta dhe nuk i shfaq së jashtmi. Në kundërshtim me sanguinin, çdo punë e bën me ngadalë. Është i urtë dhe nuk i ngacmon të tjerët.
Temperamenti melankolik. Njeriu me temperament melankolik dallohet për pamjen e tij si të përvuajtur. Mimika e tij është e dobët, gjestet i ka të pakta dhe të lehta, shikimin e syve e ka të lehtë dhe si të mekur. Njeriu me këtë temperament bie në sy, sepse rri gjithmonë mënjanë dhe i veçuar nga të tjerët. Preket shpejt, ndjenjat i ka të forta, të qëndrueshme, por nuk i shfaq së jashtmi.
Në kundërshtim me kolerikun, i cili kërkon të verë në dukje personalitetin e tij, melankoliku përkundrazi, kërkon të jetë i padukshëm. Është i turpshëm dhe shpesh i paguximshëm.
Këto janë karakteristikat në përgjithësi të temperamentit. Në jetë rrallë gjenden njerëz që të kenë vetëm karakteristikat e njërit nga temperamentet e analizuara më sipër. Shpesh ne gjejmë tek ata të përziera karakteristikat e njërit lloj me karakteristikat e llojeve të tjera.

Share

Check Also

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve: Nëna të puthë kur të sheh. Babai të do pa të parë. Nëna…