Karakteri

Njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri jo vetëm për nga aftësitë, interesat dhe temperamentet, por edhe përsa i përket qëndrimit që ata mbajnë ndaj punës, shoqërisë, ngjarjeve të ndryshme dhe vetës së tyre.
Këto qëndrime që ata mbajnë të ndërthurura edhe me njëra-tjetrën lindin forma sjelljesh të caktuara që u përgjigjen përmbajtjes së këtyre qëndrimeve.
Kur qëndrimet dhe format përkatëse të sjelljes së njerëzve nuk janë të rastësishme, por janë të qëndrueshme, ato kthehen në veçori dalluese të personalitetit duke formuar karakterin e tyre.
Kur pohojmë se një njeri i caktuar është me karakter apo ka karakter, kemi parasysh jo një veti të mirë apo të keqe të tij, por tërësinë e vetive më të qëndrueshme të tij si anëtar i shoqërisë.
Karakter quajmë tërësinë e vetive themelore të personalitetit, që shprehin sistemin e qëndrimeve të njeriut ndaj punës, shoqërisë, njerëzve të tjerë dhe vetvetes.
Karakteri, sikurse edhe veçoritë e tjera të personalitetit, nuk është i lindur dhe i pandryshueshëm. P.sh. ndodh që fëmijët kanë tipare karakteri të njëjta me ato të prindërve dhe të të afërmve të tyre, por kjo nuk do të thotë se këto tipare të tyre janë trashëguar nga prindërit. Karakteri formohet gjatë jetës dhe shpreh rrugën e jetës, rrethanat, kushtet dhe mënyrën e jetës së njeriut.
Njeriu nuk lind as përtac, as egoist, as mëndjemadh, as karrierist etj. Ai bëhet i tillë si rezultat i ndikimeve që ushtrojnë mbi të shkolla, familja, shoqëria ose të gjitha këto të mara sëbashku, sepse njeriu nuk është qenie aktive që u kundërvihet kushteve dhe rrethanave, por është qenie aktive që u kundërvihet kushteve të disfavorshme dhe i shndërron këto kushte. Pra ai është edhe objekt edhe subjekt i këtij edukimi. Karakteri ka lidhje të ngushtë me të gjitha anët e tjera të personalitetit, me bindjet, interesat, aftësitë dhe temperamentin. Gjithashtu lidhje të ngushta ekzistojnë ndërmjet aftësive dhe karakterit të cilat ndikojnë edhe reciprokisht për zhvillimin ndërmjet tyre.
Po kaq të ngushta janë lidhjet e karakterit edhe me temperamentin. Temperamenti ushtron ndikim në formën e shfaqes së disa tipareve të karakterit, por edhe karakteri ushtron një ndikim të thellë në frenimin e disa anëve negative të temperamenteve.
Temperamenti shërben si një bazë natyrore për formimin e tipareve të karakterit, por ai nuk përcakton përmbajtjen e tipareve të tij. Në bazë të çdo lloj temperamenti mund të edukojmë tiparet më të vlefshme të karakterit.
Lidhjet e karakterit me temperamentin duhen njohur, sepse nga veçoritë që ka secili temperament të cilat kushtëzohen nga tipi i veprimtarisë së lartë nervore, varet se si do të formohen tek një njeri tiparet e karakterit të tij. I njëjti tipar mund të formohet si tek koleriku ashtu edhe tek sanguini, por forma e ndikimit duhet të jetë e ndryshme.
Sikurse të gjitha fenomenet e tjera psikike, edhe karakteri ka bazën e vet psikologjike. Bazën fiziologjike të karakterit e përbëjnë sistemet e ndërlikuara të përkohshme nervore që formohen gjatë jetës së njeriut. Lehtësia apo vështirësia gjatë formimit dhe shformimit të sistemeve, që përbëjnë lidhjet e përkohshme nervore, ndikojnë thellësisht në formimin e tipareve të karakterit dhe në qëndrueshmërinë e tyre. Në jetë vihen re këto tipe karakteresh : Karaktere të forta dhe të dobëta, kontradiktorë dhe jokontradiktor, të përcaktuar dhe të papërcaktuar.

Share

Check Also

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve: Nëna të puthë kur të sheh. Babai të do pa të parë. Nëna…