KA NDËRRUAR JETË MË 13 SHKURT 2019 NË PRISHTINË, NË MOSHËN 102 VJEÇARE, ALBANOLOGU, GJUHËTARI E INTELEKTUALI, PEDAGOGU DHE VEPRIMTARI I PALODHSHËM NË ZHVILLIMET TONA SHOQËRORE, ANËTAR I AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE TË ARTEVE TË KOSOVËS DHE KRYETAR I SAJ NË DY MANDATE, ANËTAR NDERI I AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË, AKADEMIK IDRIZ AJETI.

Emri i plotë: Idriz Ajeti
Ditëlindja: 26 qershor 1917

Vendlindja: Tupalla,Medvegja

Aktiviteti: Shkrimtar, Akademik

Nënshtetësia: Shqiptar

Idriz Ajeti lindi në fshatin Tupallë të Komunës së Medvegjës më 26 qershor të vitit 1917, është shkrimtar dhe akademik shqiptar.
Shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen e kreu në Shkup më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953 deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë. Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës. Iu dhanë disa shpërblime e dekorata, ndër të cilat edhe Shpërblimi i 7 korrikut dhe ai i KAÇKJ. Presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me Çmimin Presidencial për Studiues. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve të shojshoqme shqiptare-serbe – janë troje të interesimit shkencor të Idriz Ajetit. Merret edhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Qe iniciator i shumë konsultave dhe bashkëmarrëveshjeve gjuhësore ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj. Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj. Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në vitin 1997, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka botuar veprën e plotë në pesë vëllime.

“Dijetar e erudit, personalitet shkencor, pa kontributet e të cilit studimet albanologjike në Kosovë e më gjerë nuk do të ishin këto që janë sot, akademik Ajeti ishte dhe mbetet njëra nga figurat më të ndritshme të historisë sonë të re”, thuhet në njoftimin e Akademisë.

Ai ka botuar: Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX, (1960), Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra (1961), Hymje në historinë e gjuhës shqipe (1963), Ortografia e gjuhës shqipe (bashkautor) (1964), Historia e gjuhës shqipe (Morfologjia historike), (1969), Probleme të historisë së gjuhës shqipe, (1971), (zgjodhi e mbarështroi), Studije iz istorije albanskog jezika (1982), Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, (1982), II (1985), III, IV (1989), Shqiptarët dhe gjuha e tyre (1994).

Në Prishtinë, Tiranë e gjetiu janë botuar vëllime me studime të zgjedhura të tij. Ka hartuar tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme e studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe.

Në vitet 1997-2002 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës botoi veprën e tij të plotë në pesë vëllime.

Në bibliografinë e tij gjejmë qindra artikuj, studime, kumtesa të mbajtura në Konferenca shkencore, seminare, takime kombëtare e ndërkombëtare, të botuara në revista e periodikë në shqip, por edhe në gjermanisht, frëngjisht apo në gjuhë të tjera.

Prania e Idriz Ajetit në jetën shkencore e kulturore si dhe në të gjitha zhvillimet shoqërore ka qenë e dukshme dhe thelbësore. Puna e tij është shtrirë edhe në fushën e të drejtave të njeriut dhe në veprimtarinë shoqërore. Akademik Idriz Ajeti ka qenë Kryetar i Parlamentit të Kosovës në njërën nga periudhat më të vështira të saj si dhe pjesëmarrës i Konferencës së Rambujesë.

Me vdekjen e Akademik Idriz Ajetit Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka humbur autoritetin nga më të mëdhenjtë të punës shkencor te ne, profesorin, veprimtarin, njeriun e urtë dhe të dijshëm!

Check Also

Halil Kastratit i bëhet ftesë për kyqjen në partitë politike , ja cka thotë ai

Të nderuar qytetarë, ditëve të fundit jam kontaktuar nga shumë gazetarë si dhe kam pranuar…