Format e ndjenjave

Duke marrë për bazë disa cilësi të ndjenjave si fuqinë, kohën e zgjatjes dhe karakterin veprues të tyre, dallojmë këto forma ndjenjash: humori, afiniteti dhe pasioni.
1) Humori është një gjëndje e përgjithshme emocionale, relativisht e dobët që jetohet nga njeriu për një farë kohe pak a shumë të gjatë dhe që i jep një ngjyrë të caktuar të gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij.
Humori mund të qëndrojë për një kohë të gjatë ose të shkurtër, d.m.th. mund të zgjasë me ditë, javë ose muaj. Humori si çdo ndjenjë tjetër shprehet në formën e një gjëndjeje pozitive ose negative. d.m.th. në formën e gëzimit ose pesimizmit, të shqetësimit ose të qetësimit. Kjo gjëndje emocionale i jep një ngjyrë të caktuar të gjitha veprimeve dhe sjelljeve të njeriut dhe ndikon edhe në njerëzit e tjerë që e rrethojnë.
Humori i mirë ose i keq, i lartë ose i ulët varet nga shkaqe të ndryshme si: marrëdhëniet e njeriut në punë (suksesi ose mossuksesi), nga ndonjë ngjarje e rëndësishme, nga gjendja e mirë shëndetësore, nga kushtet atmosferike, nga marrëdhëniet ndërmjet njerëzve etj.
2) Afekti është një gjëndje emocionale e fortë, e furrishme dhe që nuk zgjat shumë. Gjëndje të tilla emocionale janë: tërbimi, tmerri, dëshpërimi etj. Shpërthime të tilla të furrishme ndjenjash mund të shkaktohen nga një lajm i papritur, gëzimi ose hidhërimi i madh, nga një fyerje e rëndë, nga ndonjë rrezik etj.
Nga pikëpamja fiziologjike, afektet karakterizohen nga lindja e një vatre me nxitje optimale në koren e trurit, e cila ushtron një veprim frenues në pjesët e tjera të kores dhe si rrjedhim, ngjet ajo që quhet “ngushtim i vetëdijes”.
Vetëdija ngulitet në atë ngacmues që ka shkaktuar afektin. Kjo dobëson mjaft kontrollin e njeriut mbi veprimtarinë dhe sjelljen e tij, prandaj ai bën veprime të paarsyeshme, të cilat në gjëndje normale as që e mendon që mund t’i kryejë. Megjithatë, njeriu normal nuk e humb kurrë vetëdijen, kontrollin mbi veprimtarinë, ai po të dojë, po të mobilizojë vullnetin, mund ta përmbajë veten.
Gjendjet afektive shoqërohen edhe me ndryshime të rëndësishme të organizmit, me lëvizje të theksuara shprehëse si të qarit, të bërtiturit, të dredhurit etj.
3) Pasioni është ndjenjë e fuqishme, e qëndrueshme, aktive, që përcakton sjelljen dhe veprimtarinë e njeriut dhe shfaqet në aspekte të ndryshme të jetës së njeriut. 
Sipas përmbajtjes dhe drejtimit të tyre: pasionet mund të jenë pozitive dhe negative. Pasione pozitive janë p.sh. pasioni për punën, për dashurinë, për shkencën etj, Ndërsa pasione negative janë pasioni për alkolin, për paranë, për pushtet etj.
Pasionet pozitive kanë rëndësi të madhe në jetën e njeriut. Ato gjallërojnë dhe pasurojnë botën shpirtërore të njeriut. Njerëzit me pasione pozitive të forta jepen tërësisht pas punës ose detyrës së tyre, dhe kanë sukses në jetë. Njerëzit pa pasion, janë njerëz indiferentë, të ngathët e pasivë. Jeta e këtyre njerëzve është e zbehtë dhe e zbrazur.
Krejt ndryshe ndodh me pasionet negative. Këto pasione dëmtojnë si shoqërinë ashtu edhe individin, ulin vlerën e personalitetit të tij dhe e çojnë njeriun në degjenerim moral dhe ekonomik. Por, edhe pasionet pozitive mund të shndërrohen në negative nëse e pengojnë njeriun nga detyra apo angazhime më me vlerë.
Pasioneve mund t’ua ndryshojmë edhe drejtimin. Njeriu me vullnet të fortë dhe me karakter të shëndoshë nuk bëhet kurrë “rob” i pasioneve të tij. Ai është në gjëndje t’i zotërojë dhe t’i drejtojë ato me anë të arsyes dhe forcës së vullnetit. Kështu që pasionet mund të zhvillohen dhe edukohen. 

Check Also

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve

Fëmijet në pikëpamjen e prindërve: Nëna të puthë kur të sheh. Babai të do pa të parë. Nëna…