Forma e të menduarit

Format e të menduarit logjik janë koncepti, gjykimi, arsyetimi.
1) Koncepti. Çdo send apo fenomen është në vetvete një tërësi vetish dhe cilësish thelbësore dhe jo thelbësore.
P.sh. për të formuar konceptin njeri, kafshë, bimë etj., është dashur që të njihen cilësitë thelbësore që i dallojnë ato nga qëniet e tjera të gjalla. Duke analizuar dhe sintetizuar, duke krahasuar dhe abstraktuar njeriu ka zbuluar me qindra veti të ngjashme e të përbashkëta mes tij dhe kafshëve, por dallimi mes tyre bëhet në shumë aspekte të tjera sidomos në llogjikë.
Koncepti është pasqyrimi në vetëdije i cilësive më thelbësore të sendeve dhe fenomeneve.
Zbulimi i cilësive më të qëndrueshme të sendeve dhe fenomeneve nuk është një punë kaq e lehtë. Për të formuar konceptet shkencore p.sh. konceptin metal, bimë, kafshë, shoqëri, klasë, shtet, planet etj, është dashur një punë e madhe analitiko-sintetike, krahasime të shumta, abstraktim nga cilësitë e paqënësishme dhe përqëndrim në cilësitë e qënësishme.
2) Gjykimi. Në konceptet ne pasqyrojmë cilësitë thelbësore të përbashkëta të sendeve dhe fenomeneve, kurse në gjykimet ne pasqyrojmë marrëdhëniet ndërmjet koncepteve. Gjykimi është një formë e të menduarit me ndihmën e të cilit pohojmë ose mohojmë diçka për një objekt apo një fenomen ose cilësi të tyre. Kështu p.sh. kur ne themi: Shqipëria është një vend i lirë, kemi pohuar diçka dhe kemi pohuar raportet që ekzistojnë ndërmjet konceptit Shqipëri dhe konceptit vend i lirë.
Përmbajtja e konceptit ngulitet në një fjalë të caktuar, kurse gjykimi shprehet me një fjali. Pjesët përbërëse të gjykimit janë: subjekti, predikati dhe këpuja. Në gjykimin që sollëm më lart, fjala Shqipëri është subjekt i gjykimit, është shërben si këpujë dhe vend i lirë shërben si predikat.
Meqënëse gjykimet mbi sendet dhe fenomenet kanë karakteristika të ndryshme, ato i ndajmë në pohuese dhe mohuese, në të veçanta, të pjesshme dhe të përgjithshme, në të vërteta dhe të gabuara.
Për të konkretizuar llojet e gjykimeve le të marrim disa shembuj:
Adreatiku lag brigjet e vendit tonë. (pohues).
Nuk vjen pranvera me një lule. (mohues).
Tirana është kryeqytet. (i veçantë).
Disa nga qytetet e Shqipërisë janë qytete bregdetare. (i pjesshëm)
Të gjithë studentët e morën provimin. (i përgjithshëm)
Dhe në varësi të faktit se sae vërtetë është ajo që pohohet ose mohohet, gjykimet mund të jenë të drejta ose të gabuara.
3) Arsyetimi. Gjatë të menduarit njeriu i përdor njohuritë e fituara për të zbuluar njohuri të reja. Për t’ia arritur këtij qëllimi ai niset nga disa gjykime dhe arrin në gjykime të reja, që zbulojnë një të vërtetë të re. Në këto raste njeriu përdor një formë tjetër të të menduarit, arsyetimin.
Me arsyetim kuptojmë atë formë të të menduarit me ndihmën e së cilës, duke u mbështetur në dy ose më shumë gjykime (premisa) formulojmë një gjykim të ri (konkluzion), që na zbulon një të vërtetë të re.
Arsyetimi bëhet në rrugë induktive dhe deduktive dhe është një formë më e ndërlikuar e të menduarit se sa koncepti dhe gjykimi.
Arsyetim në rrugë induktive kemi sa herë që ne nisemi nga gjykime të veçanta dhe arrijmë në një konkluzion të përgjithshëm, kurse arsyetim në rrugë deduktive kemi kur nisemi nga gjykime të përgjithshme dhe arrijmë në konkluzione të veçanta.

Share

Check Also

Agjërimi është shërim për lëkurën

Agjërimi është shërim për lëkurën. Lëkura mbron trupin nga çdo sëmundje e jashtme. Kur tru…