Baza fiziologjike dhe shfaqia e jashtme e ndjenjave

Si të gjitha proceset psikologjike, edhe ndjenjat janë një funksion i trurit. Mekanizmi nervor-fiziologjik i ndjenjave është procesi i nxitjes, i lindur në koren e trurit, i cili shpërndahet edhe në qendrat e nënkores së trurit.
Në qendrat e nënkores e kanë bazën e tyre reflekset e lindura të pakushtëzuara. Proceset fiziologjike, të cilat lindin gjatë reflekseve të pakushtëzuara, formojnë-njëkohësisht edhe bazën fiziologjike të ndjenjave më të thjeshta. P.sh. kënaqësia ose pakënaqësia, që lind nga plotësimi i nevojave biologjike. Ndjenjat komplekse lidhen me proceset nervore, që ndodhin në koren e trurit. Këtu, si rezultat i veprimeve të objekteve, formohen lidhje të përkohëshme nervore, të cilat shkaktojnë lindjen e ndjenjave të ndryshme.
Korja e trurit është organi me anën e të cilit njeriu drejton në mënyrë të vetëdijshme ndjenjat e tij, si edhe shfaqja e jashtme e tyre.
Për lindjen e ndjenjave të përkohshme rëndësi kanë lidhjet e përkohëshme nervore, që formohen në koren e trurit me anë të sistemit të dytë të sinjaleve. Fjala është një mjet ndikues tek të tjerët dhe mund të shkaktojë ndjenja të ndryshme.
Në bazën fiziologjike të ndjenjave luan rol edhe steriotipi dinamik. Me këtë duhet të kuptojmë se sistemi i lidhjes së përkohshme nervore, i formuar gjatë përvojës së kaluar, ushtron një ndikim të caktuar në ndjenjat. Kjo duket veçanërisht atëhere kur prishen sistemet e formuara dhe zëvendësohen me të reja, gjë që ndodh kur njeriu ndryshon kushtet e jetesës dhe të veprimtarisë së tij. Kështu p.sh. njeriu ndjenj një farë pakënaqësie dhe shqetësimi kur i prishet regjimi etj.
Veçoria karakteristike e ndjenjave qëndron në faktin se ato jo vetëm që lidhen me ndryshimin e veprimtarisë së organizmit, por shoqërohen me një sërë shfaqjesh të jashtme. Lindja e tyre shoqërohet me ndryshime të mimikës, të xhesteve, me shprehjen e syve etj. Kështu p.sh. më shpesh frika shprehet me mbledhjen e trupit, lëvizjet paralizohen ose njeriu ja jep vrapit, zverdhet, ka të dridhura në të gjithë trupin, zëri i ndërpritet, i thahet pështyma, i dalin djersë të ftohta. Zemërimi shprehet kryesisht me një pamje kërcënuese. Lëvizjet e njeriut të zemëruar janë të prera dhe energjike. Fytyra i skuqet, frymëmarrja bëhet më e thellë, zëri i fortë dhe kërcënues. Jo gjithënjë njeriu i shfaq ndjenjat e tij. Kur ai është i mësuar i përmban dhe i fsheh, p.sh. të qeshurit. Pra, njeriu ka raste që mund të shkaktojë ose të pengojë shfaqjen e ndjenjave, sipas qëllimit që mund t’i vërë vetes. Një gjë e tillë shihet qartë në teatër, në lojën e aktorëve ose kur njeriu bën lëvizje shprehëse, që janë në kundërshtim me gjendjen e vërtetë shpirtërore të tij, qesh në një rast hidhërimi ose mban pamje serioze kur ndjen nevojën të qeshë etj.
Ndjenjat shfaqen edhe me anën e të folurit, në intonacionin dhe timbrin e zërit. Në bazë të zërit ne me lehtësi dhe pa gabim mund të përcaktojmë gjëndjen emocionale të njeriut. Kështu p.sh. fjala “çfarë” kur mund të shprehet me intonacione të ndryshme. Nga shprehja e jashtme e saj mund të kuptojmë: pakënaqësi ose gëzim, shqetësim ose habi etj.

Check Also

Karakteristika e temperamenteve

Karakteristika e temperamenteve Temperamenti sanguin. Njeriu me temperament sanguin dalloh…