Aftësia dhe prirjet

Po të vërejmë në përgjithësi njerëzit në veprimtarinë e tyre jetësore, do të shohim se ata kanë ritme të ndryshme zhvillimi për nga njohuritë dhe rezultatet në punë. Kjo ndodh sepse ata kanë aftësi të ndryshme për një lëm të caktuar veprimtarie.
Aftësi quajmë atë kompleks vetish psikike të personalitetit, që shërben si kusht për të kryer me sukses një punë.
P.sh. për t’u marrë me artet figurative duhet të kesh aftësi për të kapur me sy përpjestimet e objekteve, raportet ndërmjet përmasave të tyre etj. Por kjo cilësi e të parit nuk përbën aftësi nëse e shkëpusim nga aftësitë e përgjithshme të organizmit. Pra, për të patur sukses në një lëm të caktuar veprimtarie është e nevojshme që aftësitë e veçanta të gërshetohen e të lidhen ngushtë me aftësitë e përgjithshme.
Aftësi të përgjithshme quajmë ato që gjejnë zbatim në lëme të ndryshme të veprimtarisë së njeriut. Aftësi të tilla janë p.sh. cilësitë e mëndjes, kujtesa etj.
Baza dhe pikënisja për zhvillimin e aftësive janë dispozitat, veçoritë anatomo-fiziologjike të lindura të njeriut. Dispozitat janë një nga kushtet e domosdoshme për zhvillimin e aftësive, por nuk janë kushti i vetëm. Që dispozitat të kthehen në aftësi duhet që njeriu të rritet në kushte që favorizojnë përvetësimin e njohurive dhe zhvillimin e tij të gjithanshëm, përndryshe dispozitat mbeten vetëm një mundësi ose atrofizohen.
Dispozitat janë një kusht paraprak material për zhvillimin e aftësive, kurse aftësia është mundësia e lindur gjatë punës për ta kryer me sukses një punë. Zhvillimi i aftësive kushtëzohet nga përvetësimi i njohurive, shkathtësive dhe shprehive, të cilat kanë një rëndësi të madhe për zhvillimin e personalitetit.
Kur vëmë re që një njeri merret më shumë me një veprimtari të caktuar, themi se ai ka prirje për këtë lloj veprimtarie. Dhe kjo kushtëzohet nga aftësitë dhe sukseset që ka ai në atë drejtim, të cilat e nxisin më tej për t’u marrë me të dhe e stimulojnë edhe më shumë atë prirje. Por edhe prirjet krijojnë kushte për zhvillimin e aftësive. Prirjet dhe aftësitë kushtëzojnë zhvillimin e njëra-tjetrës, por ndërmjet tyre nuk mund të vëmë shenjë barazie, sepse ndërsa aftësitë janë një kompleks vetish të personalitetit, prirjet shfaqen në formën e nevojës që ndjen njeriu për t’u marrë me një veprimtari të caktuar. Kur tek një njeriu vëmë re një prirje të fortë dhe të qëndrueshme për t’u marrë me një lloj veprimtarie, kjo do të thotë që tek ky njeri ndodhen edhe aftësitë që i përgjigjen kërkesave të kësaj veprimtarie. Por ka edhe raste kur mungojnë aftësitë dhe njeriu priret për t’u marrë me një lloj veprimtarie, duke qënë i shtyrë nga të tjerët ose duke pasur një përshtypje lajthitëse për aftësinë e tij.

Share

Check Also

Agjërimi është shërim për lëkurën

Agjërimi është shërim për lëkurën. Lëkura mbron trupin nga çdo sëmundje e jashtme. Kur tru…