Një fëmijë që nuk fliste dot erdhi pranë Muhamedit (a.s.). Ai iu drejtua fëmijës duke i thënë: “Kush jam unë?” Ai fëmijë që nuk fliste dot, iu përgjigj: “Ti je i Dërguari i Allah-ut” dhe filloi të fliste.

– Prijësi i besimtarëve, Omeri tregon se një beduin erdhi tek Profeti me një zvarranik në dorë (arabisht-dabb) dhe i thotë: “Në qoftë se ky zvarranik do të dëshmojë ty atëherë edhe unë do të të besoj.” Profeti ia kërkoi këtë kafshës dhe zvarraniku dëshmoi profetësinë e tij në mënyrë shumë të qartë.

– Në një hadith tjetër transmetohet se kur Profeti po udhëtonte mbi kalë rastisi koha e faljes. Ai e urdhëroi kalin e tij : “Ndalu”. Kali ndaloi dhe gjatë kohës që Profeti po falej nuk bëri lëvizjen më të vogël.

– Buhariu dhe Alame Kadi Ijad transmetojnë nga Abdullah ibn Mes’udi i cili ka shërbyer në shtëpinë e Profetit (a.s.) se: Ndërsa po hanim së bashku me Profetin e Nderuar (Alejhi Salatu ue Selam), ne e dëgjonim ushqimin të bënte tesbih (lavdëronte dhe madhëronte Allahun xh.sh).

– Librat e saktë të hadithit transmetojnë nga Enesi dhe Ebu Dherri se: Ishim me Profetin e Nderuar (a.s.) dhe ai mori një grusht gurësh të vegjël në dorë dhe ato menjëherë nisën të bëjnë tesbih. Pastaj ai i vendosi ato në dorën e Ebu Bekrit (r.a ) dhe ato sërish vazhdonin të bënin tesbih. Ndërsa në rrëfimin e Ebu Dherrit ai tregon se më pas Profeti ia dha gurët Omerit (r.a) dhe ato bënin tesbih akoma; i mori i vendosi në tokë dhe ato heshtën. Pastaj ia dha Osmanit (r.a) dhe ato filluan të bënin rishtazi tesbih. Më pas i vendosi në duart tona dhe gurët heshtën. (Bejhekiu)

– Profeti i Nderuar tregon se para se t’i shpallej revelata kur ecte rrugëve të Mekes, gurët dhe pemët e përshëndetnin atë.

– A’idh bin Amr mori njëherë një plagë në fytyrë gjatë betejës së Hunejnit. Profeti i Nderuar (a.s.) ia fshiu gjakun në fytyrë me dorën e tij. Pjesa e fytyrës së tij që kishte prekur Profeti fitoi një shkëlqim vezullues.

– Një herë tjetër Profeti i nderuar (sallallahu alejhi ve sellem) e vendosi dorën e tij në kokën e Umejr b. Sa`d-it dhe i bëri dua. Me bereqetin e kësaj duaje dhe vendosjen e dorës së Tij të nderuar mbi kokën e tij, ai person kur vdiq në moshën tetëdhjetvjeçare nuk kishte asnjë thinjë në kokë.

– Imam Ahmed bin Hanbeli transmeton në librin e tij nga Ebu Said el-Hudri se: “Një natë të errtë të stuhishme Profeti i dha sahabes Katade bin Numan një shkop duke i thënë: “Ky shkop do të ndriçojë përreth teje (afro një metër). Kur të arrish në shtëpinë tënde do vëresh një hije të zezë, ajo hije është vetë shejtani. Prandaj flake atë jashtë shtëpisë tënde e dëboje atë.” Katade (r.a) mori shkopin e u nis për në shtëpi. Shkopi lëshonte dritë si dora ndriçuese e Hz. Musait. Ai pastaj erdhi te shtëpia, ku pa figurën me hije dhe e dëboi.

– Gjatë luftës së Bedrit, Ukkash b.inMuhasit i thyhet shpata. Profeti i Nderuar i jep atij një kërrabë të trashë në vend të shpatës duke i thënë: “Lufto me këtë!” papritmas, me lejen e Zotit kërraba u kthye në një shpatë të bardhë të gjatë, dhe Ukkashi luftoi me të. Ai e përdori këtë shpatë deri në betejën e Jemames ku dhe ra dëshmor, kjo ngjarje është e sigurtë sepse ai gjatë gjithë jetës e mbajti me krenari atë shpatë të mirënjohur e cila u quajt ‘el-Aun (ndihma)’.

Mrekulli si këto të lartpërmendurat mund të shpjegohen me qindra. Kemi besimin se kur të ftojmë në brendësinë tonë Profetin (sallallahu alejhi ve sellem), inshalla si ne, ashtu dhe brendësia jonë do të ringjallet.

Check Also

Sfidat përmirësojnë inteligjencën

Inteligjenca është diçka e pandryshueshme, një karakteristikë me të cilën ne vijmë në botë…